Friday, June 12, 2015

Mbi librin:"Rrugëtim arsimdashës i Tropojës"- nga Mujë Buçpapaj

12 SHEKUJ ARSIM NË DIOGJEZËN E PULTIT
 Libri "Rrugëtim arsimdashës i Tropojës", shënon një zhvillim  të rëndësishëm  shkencor

“Të dhënat historike flasin per treven tonë si një rajon unik që i përkiste Dioqezës së Pultit e themeluar prej vitit 877 dhe në vijim. Është kuptimplotë fakti  që kjo dioqezë për rreth 12 shekuj ndërtoi një sistem që sido i themeluar mbi parime fetare dhe me qëllim primar të trajnimit klerik, i dha hapsirë edhe shkrimit të shqipes. Famullitë dhe manastiret e themeluara nga Pulti deri në Krasniqe dhe Gash, kishin caktuar një mjeshtër për të mësuar djemtë e varfër, të cilat ishin shkolla për mësimin e shkathtësive të paktën themelore letrare.”

Nga MUJË BUÇPAPAJ

Për  shekuj me radhë malsorët e veriut,  të cilët jetonin mes maleve të veçuara e të zymta, si dhe grykave të thikta e kërcënuese të Alpeve tona, ruajtën identitetin e tyre  kombëtar jo vetëm përmes trashëgimisë shpirtërore, por edhe përmes arsimit. Të dhënat historike flasin per treven tonë si një rajon unik që i përkiste Dioqezës së Pultit e themeluar prej vitit 877 dhe në vijim. Është kuptimplotë fakti  që kjo dioqezë për rreth 12 shekuj ndërtoi një sistem që sido i themeluar mbi parime fetare dhe me qëllim primar të trajnimit klerik, i dha hapsirë edhe shkrimit të shqipes. Famullitë dhe manastiret e themeluara nga Pulti deri në Krasniqe dhe Gash, kishin caktuar një mjeshtër për të mësuar djemtë e varfër, të cilat ishin shkolla për mësimin e shkathtësive të paktën themelore letrare. Programi mësimor bazohej zakonisht rreth Trivium dhe në një masë më të vogël quadrivium (Shtatë Artet Liberale apo Artet liberale) dhe u zhvillua në shqip dhe latinisht si një gjuhë zyrtare e Mesjetës dhe Rilindjes, por siç del edhe nga raportet e kohëpaskoshme të priftërinjëve që shërbenin në Dioqezë dërguar Vatikanit.
Sido që duket e papritur, libri i ri i studjuesit të mirënjohur Frrok Vukaj, që i prezantohet sot lexuesit shqiptar: " Rrugëtim arsimdashës i Tropojës",  dëshmon se sistemi ynë modern arsimor, ashtu si edhe krejt sistemi i arsimit në Evropë, e ka origjinën  nga shkollat  e krishtëra të  Mesjetës së Mesme. Shumë nga universitetet më të hershme, siç është Universiteti i Parisit themeluar në vitin 1160, ka pasur një bazë pikërisht të krishterë.
Gjithnjë albanologët kanë pohuar se “Meshari” i Gjon Buzukut është një deshmi  e pakundërshtueshme se gjuha shqipe ka qënë e shkruar shekuj përpara botimit të Mesharit, por asnjëherë nuk janë sjellë prova të qarta në të mirë të kësaj teze.
Ky libër duke ju referuar dokumenteve të nxjerra nga Arkivi Sekret i Vatikanit, sjell dëshmi domethënëse se në Dioqezën e Pultit deri në Krasniqe dhe Gash gjuha shqipe është mësuar për rreth 12 shekuj  dhe në mënyrë të pandërprerë në Famullitë dhe manastiret e kësaj Dioqeze.
Libri "Rrugëtim arsimdashës i Tropojës",  sjell   rishikime të dobishme të historisë së arsimit në Trevën e Malësisë së Gjakovës, duke konfirmuar përpjekjet shekullore të këtij rajoni për arsimin kombëtar. Libri është i përshtatshëm për të gjitha gruposhat dhe natyrisht mjaft i dobishëm. Ai ndjek dy linja dominuese studimi të historikut të arsimit,  parë në aspektin kombëtar dhe atë lokal e rajonal. Përfshinë një periudhë të gjatë të historisë së arsimit në këtë trevë,  por falë   aftësive analitike të autorit kemi një produkt sintetik realizuar  në një standard të lartë shkencor, ndryshe nga botimet e mëparshme që kanë patur vetëm karakter përshkrues dhe thellësisht  të politizuar.
Sido që studimi ka për objekt periudha të ndryshme dhe epoka  të largëta, ai realzon një intepretim të saktë shkencor, duke shfrytëzuar dhe vlerësuar dokumente të ndryshme  historike, shumica të panjohur më parë.
Studimi është një deshmi e aftësive të spikatura të   Frrok Vukajt si studjues, psikolog, pedagog dhe hulumtues, që punon mbi kritere të qarta shencore, profesionale, duke kapërcyer me sukses ndikimet lokale.
Vukaj  ka treguar kujdes dhe vizion  të qartë kur ka bërë  kronologjinë dhe periodizimin e arsimit në treven veriore, nga fillimet deri në vitet e fundit të  tranzicionit, duke dëshmuar kështu  aftësi të verteta  për të vlerësuar marëdhëniet midis të kaluarës  dhe së tashmes, duke ruajtur koherencën historike dhe objektivitetin shkencor.
Mesazhi i librit të F. Vukajt është se nxënësit, studentët dhe pedagogët e  sotshëm dhe natyrisht ata që do të vijnë pas tyre, duhet të përfitojnë nga përvoja historike e arsimit shqiptar nga zhvillimi dhe mbijetesa e tij në periudha të ndryshme  historike dhe se ndryshimet që e dallojnë  një periudhë nga një tjetër, duhet të shërbejnë  për të siguruar e garantuar fuqinë e arsimit tonë kombëtar në të ardhshmen, jashtë ndikimeve ideologjike dhe partizane.
Mendoj se autori  ka interpretuar me  korrektesë dhe  ekuilibër aspektet e ndryshme të jetës së arsimit tonë në shekuj dhe të përvojave  njerëzore në të kaluarën.
Autori  ka evidentuar qartë  rëndësinë  që kanë patur   komponentët socialë, kulturorë, ekonomikë, teknologjikë dhe politikë në zhvillimin e arsimit tonë në kohë dhe epoka të ndryshme, si dhe marrëdhëniet e tyre të ndërsjella me arsimin, sido që mbetet  një sfidë që mund dhe duhet të plotësohet më tej në të ardhmen.
Sudimi i tij,  është një bilanc që rezulton jetik për  lidhjet në mes të Historisë dhe qëllimeve të mësimit. Libri ka shumë fakte, ngjarje dhe dokumente origjinale të cilat mund të shfrytëzohen nga historianët dhe mësuesit e historisë, çfarë  mund të ndihmojnë ata në punën e tyre  kërkimore e pedagogjike si dhe për të njohur dhe përshtatur praktikat më të mira të mësimdhënies në këtë fushë.
Libri "Rrugëtim arsimdashës i Tropojës",  inkurajojn nxënësit dhe mësuesit që të jenë të frymëzuar nga historia e arsimit e shkollës shqipe, duke ndjekur politika  koherente, të kënaqshme dhe natyrisht të  vlefshme  të studimit dhe për të përshtatur standardet me të mira  ndërkombëtare të të mesuarit.
Vukaj duke përshkruar, analizuar  dhe vlerësuar  shkaqet dhe pasojat e ngjarjeve dhe situatave historike të Trevës dhe kombit, jo vetëm paraqet, por edhe  analizon dhe  vlerëson ndryshimet dhe zhvillimet në periudha të ndryshme historike, përfshirë periudhën e Pavarësisë, Monarkisë Shqiptare, regjimit socialist dhe atij postkomunist. Ai vlerëson saktë dhe me profesionalizëm rëndësinë e individëve, ngjarjeve, zhvillimeve, me qëllim krijimin e një vetëdije të plotë arsimore kombëtare. Ai jo vetëm na ka dhënë fakte dhe dëshmi nga zhvillimi i arsimit në këtë trevë dhe më gjerë, por edhe ka prezantuar  aftësitë e tij prej studjuesi të spikatur,  për të bërë pyetje të rëndësishme në lidhje me të kaluarën,  si dhe hetuar  në mënyrë kritike rreth dobësive të tij, për shkaqe ekonomike, politike dhe shpesh ideologjike, duke përdorur një varg burimesh origjinale që komunikojnë me historinë dhe ndihmojnë në të kuptuarit e saj.
Libri "Rrugëtim arsimdashës i Tropojës", shënon një zhvillim  të rëndësishëm  shkencor. Ai na ndihmon për të  kuptuar më mirë    kaluarën tonë, si pjesë e Dioqezës së Pultit, si  dhe  siguruar  një bazë  të mirë për të evidentuar qartë   ndikimin e arsimit dhe edukimit në  historinë tonë kombëtare për rreth 12 shekuj, i zhvilluar në ato standarte si shkollat më të mira europiano-perëndimore. Se arsimi i kësaj treve, si vetë gjuha shqipe dhe alfabeti i saj, është thellësisht europian, perëndimor, dhe për këtë shkak ka mbijetuar, duke refuzuar dhe sfiduar presionet e kulturave inferiore serbe, osmane apo greke, para sëgjithash për shkak të substratit të fortë  perëndimor.
Vukaj, një pedagog me përvojë dhe influencë në arsimin e trevës e me gjërë, me një studim specifik për arsimin na mëson se si historia duhet të reflektojë ngjarjet reale që e kanë shoqëruar atë ndër shekuj në Alpet tona dhe për rreth saj, pa politizim dhe paragjykim.
Ky tekst do t'i ndihmojë nxënësit që   të zhvillojnë më tej njohuritë e tyre, për të kuptuar më mirë historinë e arsimit shqip përfshirë një arsyetim për specifikimin e periudhave, temave dhe kritereve të kësaj përmbajtje studimore, si dhe rolin  kyç që kanë luajtur në këtë histori individët, shoqëritë, ngjarjet, zhvillimet,  çështjet, periudhat edhe  karakteristikat kryesore të secilës epokë të analizuar, të cilat në libër jepen gjërësisht dhe me shumë detaje.
Ky botim do t'u shërbjë edhe institucioneve të arsimit tonë kombëtar, vizionit të drejtuesve të Shqipërisë për të ardhmen, të cilët me besueshmërinë ndaj identitetit tonë  kulturor, do të ndërtojnë politika që do ta bëjnë edhe arsimin tonë konkurent në mijëvjeçarin e ri, sipas motos: "krijimi i së ardhmes nënkupton kujtesë ndaj së kaluarës."
Libri  me siguri do të ngjallë një debat konstruktiv, por edhe do të inkurajojë këtë brez mësuesish, pedagogësh, nxënësish dhe politikbërësish, që me besueshmërinë ndaj identitetit tonë kulturor, t'u përgjigjemi sfidave të shekullit të 21-të, duke qenë mbi të gjitha krenar dhe me dije për këtë trashëgimi.

NACIONAL 7 qershor 2015 f.11