Friday, June 12, 2015

Mbi librin:"Rrugëtim arsimdashës i Tropojës"- nga Mujë Buçpapaj

12 SHEKUJ ARSIM NË DIOGJEZËN E PULTIT
 Libri "Rrugëtim arsimdashës i Tropojës", shënon një zhvillim  të rëndësishëm  shkencor

“Të dhënat historike flasin per treven tonë si një rajon unik që i përkiste Dioqezës së Pultit e themeluar prej vitit 877 dhe në vijim. Është kuptimplotë fakti  që kjo dioqezë për rreth 12 shekuj ndërtoi një sistem që sido i themeluar mbi parime fetare dhe me qëllim primar të trajnimit klerik, i dha hapsirë edhe shkrimit të shqipes. Famullitë dhe manastiret e themeluara nga Pulti deri në Krasniqe dhe Gash, kishin caktuar një mjeshtër për të mësuar djemtë e varfër, të cilat ishin shkolla për mësimin e shkathtësive të paktën themelore letrare.”

Nga MUJË BUÇPAPAJ

Për  shekuj me radhë malsorët e veriut,  të cilët jetonin mes maleve të veçuara e të zymta, si dhe grykave të thikta e kërcënuese të Alpeve tona, ruajtën identitetin e tyre  kombëtar jo vetëm përmes trashëgimisë shpirtërore, por edhe përmes arsimit. Të dhënat historike flasin per treven tonë si një rajon unik që i përkiste Dioqezës së Pultit e themeluar prej vitit 877 dhe në vijim. Është kuptimplotë fakti  që kjo dioqezë për rreth 12 shekuj ndërtoi një sistem që sido i themeluar mbi parime fetare dhe me qëllim primar të trajnimit klerik, i dha hapsirë edhe shkrimit të shqipes. Famullitë dhe manastiret e themeluara nga Pulti deri në Krasniqe dhe Gash, kishin caktuar një mjeshtër për të mësuar djemtë e varfër, të cilat ishin shkolla për mësimin e shkathtësive të paktën themelore letrare. Programi mësimor bazohej zakonisht rreth Trivium dhe në një masë më të vogël quadrivium (Shtatë Artet Liberale apo Artet liberale) dhe u zhvillua në shqip dhe latinisht si një gjuhë zyrtare e Mesjetës dhe Rilindjes, por siç del edhe nga raportet e kohëpaskoshme të priftërinjëve që shërbenin në Dioqezë dërguar Vatikanit.
Sido që duket e papritur, libri i ri i studjuesit të mirënjohur Frrok Vukaj, që i prezantohet sot lexuesit shqiptar: " Rrugëtim arsimdashës i Tropojës",  dëshmon se sistemi ynë modern arsimor, ashtu si edhe krejt sistemi i arsimit në Evropë, e ka origjinën  nga shkollat  e krishtëra të  Mesjetës së Mesme. Shumë nga universitetet më të hershme, siç është Universiteti i Parisit themeluar në vitin 1160, ka pasur një bazë pikërisht të krishterë.
Gjithnjë albanologët kanë pohuar se “Meshari” i Gjon Buzukut është një deshmi  e pakundërshtueshme se gjuha shqipe ka qënë e shkruar shekuj përpara botimit të Mesharit, por asnjëherë nuk janë sjellë prova të qarta në të mirë të kësaj teze.
Ky libër duke ju referuar dokumenteve të nxjerra nga Arkivi Sekret i Vatikanit, sjell dëshmi domethënëse se në Dioqezën e Pultit deri në Krasniqe dhe Gash gjuha shqipe është mësuar për rreth 12 shekuj  dhe në mënyrë të pandërprerë në Famullitë dhe manastiret e kësaj Dioqeze.
Libri "Rrugëtim arsimdashës i Tropojës",  sjell   rishikime të dobishme të historisë së arsimit në Trevën e Malësisë së Gjakovës, duke konfirmuar përpjekjet shekullore të këtij rajoni për arsimin kombëtar. Libri është i përshtatshëm për të gjitha gruposhat dhe natyrisht mjaft i dobishëm. Ai ndjek dy linja dominuese studimi të historikut të arsimit,  parë në aspektin kombëtar dhe atë lokal e rajonal. Përfshinë një periudhë të gjatë të historisë së arsimit në këtë trevë,  por falë   aftësive analitike të autorit kemi një produkt sintetik realizuar  në një standard të lartë shkencor, ndryshe nga botimet e mëparshme që kanë patur vetëm karakter përshkrues dhe thellësisht  të politizuar.
Sido që studimi ka për objekt periudha të ndryshme dhe epoka  të largëta, ai realzon një intepretim të saktë shkencor, duke shfrytëzuar dhe vlerësuar dokumente të ndryshme  historike, shumica të panjohur më parë.
Studimi është një deshmi e aftësive të spikatura të   Frrok Vukajt si studjues, psikolog, pedagog dhe hulumtues, që punon mbi kritere të qarta shencore, profesionale, duke kapërcyer me sukses ndikimet lokale.
Vukaj  ka treguar kujdes dhe vizion  të qartë kur ka bërë  kronologjinë dhe periodizimin e arsimit në treven veriore, nga fillimet deri në vitet e fundit të  tranzicionit, duke dëshmuar kështu  aftësi të verteta  për të vlerësuar marëdhëniet midis të kaluarës  dhe së tashmes, duke ruajtur koherencën historike dhe objektivitetin shkencor.
Mesazhi i librit të F. Vukajt është se nxënësit, studentët dhe pedagogët e  sotshëm dhe natyrisht ata që do të vijnë pas tyre, duhet të përfitojnë nga përvoja historike e arsimit shqiptar nga zhvillimi dhe mbijetesa e tij në periudha të ndryshme  historike dhe se ndryshimet që e dallojnë  një periudhë nga një tjetër, duhet të shërbejnë  për të siguruar e garantuar fuqinë e arsimit tonë kombëtar në të ardhshmen, jashtë ndikimeve ideologjike dhe partizane.
Mendoj se autori  ka interpretuar me  korrektesë dhe  ekuilibër aspektet e ndryshme të jetës së arsimit tonë në shekuj dhe të përvojave  njerëzore në të kaluarën.
Autori  ka evidentuar qartë  rëndësinë  që kanë patur   komponentët socialë, kulturorë, ekonomikë, teknologjikë dhe politikë në zhvillimin e arsimit tonë në kohë dhe epoka të ndryshme, si dhe marrëdhëniet e tyre të ndërsjella me arsimin, sido që mbetet  një sfidë që mund dhe duhet të plotësohet më tej në të ardhmen.
Sudimi i tij,  është një bilanc që rezulton jetik për  lidhjet në mes të Historisë dhe qëllimeve të mësimit. Libri ka shumë fakte, ngjarje dhe dokumente origjinale të cilat mund të shfrytëzohen nga historianët dhe mësuesit e historisë, çfarë  mund të ndihmojnë ata në punën e tyre  kërkimore e pedagogjike si dhe për të njohur dhe përshtatur praktikat më të mira të mësimdhënies në këtë fushë.
Libri "Rrugëtim arsimdashës i Tropojës",  inkurajojn nxënësit dhe mësuesit që të jenë të frymëzuar nga historia e arsimit e shkollës shqipe, duke ndjekur politika  koherente, të kënaqshme dhe natyrisht të  vlefshme  të studimit dhe për të përshtatur standardet me të mira  ndërkombëtare të të mesuarit.
Vukaj duke përshkruar, analizuar  dhe vlerësuar  shkaqet dhe pasojat e ngjarjeve dhe situatave historike të Trevës dhe kombit, jo vetëm paraqet, por edhe  analizon dhe  vlerëson ndryshimet dhe zhvillimet në periudha të ndryshme historike, përfshirë periudhën e Pavarësisë, Monarkisë Shqiptare, regjimit socialist dhe atij postkomunist. Ai vlerëson saktë dhe me profesionalizëm rëndësinë e individëve, ngjarjeve, zhvillimeve, me qëllim krijimin e një vetëdije të plotë arsimore kombëtare. Ai jo vetëm na ka dhënë fakte dhe dëshmi nga zhvillimi i arsimit në këtë trevë dhe më gjerë, por edhe ka prezantuar  aftësitë e tij prej studjuesi të spikatur,  për të bërë pyetje të rëndësishme në lidhje me të kaluarën,  si dhe hetuar  në mënyrë kritike rreth dobësive të tij, për shkaqe ekonomike, politike dhe shpesh ideologjike, duke përdorur një varg burimesh origjinale që komunikojnë me historinë dhe ndihmojnë në të kuptuarit e saj.
Libri "Rrugëtim arsimdashës i Tropojës", shënon një zhvillim  të rëndësishëm  shkencor. Ai na ndihmon për të  kuptuar më mirë    kaluarën tonë, si pjesë e Dioqezës së Pultit, si  dhe  siguruar  një bazë  të mirë për të evidentuar qartë   ndikimin e arsimit dhe edukimit në  historinë tonë kombëtare për rreth 12 shekuj, i zhvilluar në ato standarte si shkollat më të mira europiano-perëndimore. Se arsimi i kësaj treve, si vetë gjuha shqipe dhe alfabeti i saj, është thellësisht europian, perëndimor, dhe për këtë shkak ka mbijetuar, duke refuzuar dhe sfiduar presionet e kulturave inferiore serbe, osmane apo greke, para sëgjithash për shkak të substratit të fortë  perëndimor.
Vukaj, një pedagog me përvojë dhe influencë në arsimin e trevës e me gjërë, me një studim specifik për arsimin na mëson se si historia duhet të reflektojë ngjarjet reale që e kanë shoqëruar atë ndër shekuj në Alpet tona dhe për rreth saj, pa politizim dhe paragjykim.
Ky tekst do t'i ndihmojë nxënësit që   të zhvillojnë më tej njohuritë e tyre, për të kuptuar më mirë historinë e arsimit shqip përfshirë një arsyetim për specifikimin e periudhave, temave dhe kritereve të kësaj përmbajtje studimore, si dhe rolin  kyç që kanë luajtur në këtë histori individët, shoqëritë, ngjarjet, zhvillimet,  çështjet, periudhat edhe  karakteristikat kryesore të secilës epokë të analizuar, të cilat në libër jepen gjërësisht dhe me shumë detaje.
Ky botim do t'u shërbjë edhe institucioneve të arsimit tonë kombëtar, vizionit të drejtuesve të Shqipërisë për të ardhmen, të cilët me besueshmërinë ndaj identitetit tonë  kulturor, do të ndërtojnë politika që do ta bëjnë edhe arsimin tonë konkurent në mijëvjeçarin e ri, sipas motos: "krijimi i së ardhmes nënkupton kujtesë ndaj së kaluarës."
Libri  me siguri do të ngjallë një debat konstruktiv, por edhe do të inkurajojë këtë brez mësuesish, pedagogësh, nxënësish dhe politikbërësish, që me besueshmërinë ndaj identitetit tonë kulturor, t'u përgjigjemi sfidave të shekullit të 21-të, duke qenë mbi të gjitha krenar dhe me dije për këtë trashëgimi.

NACIONAL 7 qershor 2015 f.11

Thursday, June 11, 2015

Rrugëtim arsimdashës i Tropojës/ opinione

Në librin " Rrugëtim arsimdashes i Tropojeës" ( zhvillime, veçori, problematika ) të Frrok Vukaj do të gjeni aspekte të zhvillimit të arsimit në Tropojë që nga koha e analfabetizmit e deri në ditët e sotme në një mënyrë të detajuar, të sakte e të dokumetuar. Kapitulli "Aspekte të zhvillimit të arsimit në Nikaj - Mërtur" është një studim e dokumentuar deri në detaje për të treguar vlerat arsimdashëse të krahinës sonë.

Nik MARTINI
____________________________________________________

Petagogjikasit e Shkodres- nga Frrok Vukaj


PAS 50 VITESH, ME PEDAGOGJIKASIT E SHKODRËS

Nga FRROK VUKAJ,
Pedagog, studiues - Tiranë


Se si po më duket…vallë kaq shpejt kalojnë vitet e dekadat?! Vocërrakë ishim atëherë, 13-14 vjeç e donjëri edhe 15, se shkolla 7-vjeçare qe hapur me vonesë në fshatin e tyre. Më se 50 vite më parë, në shtatorin e vitit 1963, u mblodhëm një e nga një nga të katër anët e Shqipërisë, shumica nga Veriu i saj. Ashtu të ndrojtur e të padalë nga fshati, me rroba sa për të thënë, me triko leshi, xhaketa doku e pantallona shajaku, ndonjëri pse jo edhe me opinga llastiku e çorape leshi, u mblodhëm në qytetin verior, në djepin e kulturës, me histori 2500 vjeçare, në qytetin historik të Shkodrës.

Befasitë ishin të bukura e mbresëlënëse, por ana tjetër e medaljes na kujton edhe sot pamje tronditëse: varfëri e tejskajshme, kushte jo të mira jetese, komunikim i rrallë me familjet tona të largëta nëpërmes fletëthirrjeve telefonike 2-3 minutëshe në Postë-Telegrafën e vetme të qytetit, motii ftohtë e i lagësht, dimrat e ashpër, komunikacioni problematik pas të cilit shumica do të udhëtonin në këmbë 2-3 e deri në 8 orë neper rrugë të thepisura, dhomat e mëdha e të ftohta të konviktit me krevate marinari, autoklava primitive që na lante rrobat e pas jave thasët që zbrazeshin në shesh, rreshti i gjatë i konviktorëve me ndërresat e pakta në duar për t’u larë në banjat publike të qytetit e pamje të tjera që edhe sot më ngjethin mishtë. Megjithëkëtë nuk u tronditëm, as u thyem. Në zemrat tona kishim zjarr e në sytë tanë dritë e jetë që rrëzëllente. Vitet kaluan e ja ku u mblodhëm me 8 Shtator 2014, pas 50 vitesh, ashtu si dikur. Megjithëse flokëthinjur e paksa të kërrusur, e shpupuritëm hirin e para një gjysmë shekulli e në shpuzën e nxehtë pak e nga pak zbuluam edhe ca thëngjij të pashuar. Po nga u mblodhëm e nga erdhëm në këtë ditë shtatori? Takimi i parë u bë në Tiranë para disa vitesh, por sot si një magnet, na tërhoqi Shkodra ku kaluam pjesën më të bukur të rinisë e na dha rrugën e mbarë. Kështu ndodhi edhe 2-3 herë të tjera, por sot malli na ka marrë më shumë se herët e tjera. Shkojmë aty ku kaluam 4 vitet e shkollës së mesme e sytë tanë përloten si të ishim fëmijë. Ish Shkolla Pedagogjike nuk është më. Në themelet e saj e në hapësirat rreth e rrotull, është ngritur një park i bukur e në mes tij shatërvani ujëplotë. Na lehtëson kjo pamje se aty ku prodhohet dije për shekuj lind e rilind jeta. Lulishtet e bukura, drurë e pemë gjithfarësh, kalldrëme e zbukurime, pishat e selvitë e gjata. Pedonalja që zgjatet deri tek Truma, si një ansambël i bukur. Rektorati i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, godina karakteristike e Bashkisë më se 100 vjeçare, Xhamia me 2 minare e rindërtuar në themelet e hershme pasi u shemb nga regjimi i kohës, Biblioteka “Marin Barleti”me fondin shumë të pasur e të rrallë, por me salla të vogla për kërkesat shumë të mëdha që kanë lexuesit e shumtë. Pjaca e rikonstruktuar nga mjeshtrit më në zë e duarartë që kanë ruajtur trashëgiminë shqiptare, por edhe ndikimin e hershëm Venecian, na lehtësojnë atë dhembje për shkollën tonë të hapur qysh me 1917. Na nxjerr mallin simotra e saj përballë, Gjimnazi 29 a 28 Nëntori, edhe ky i hapur më 1922 (ama ç’na gjeti edhe me këto data?!). Kanë ardhur nga Kukësi e Tropoja, Durrësi e Elbasani, Tirana e Kurbini, Lezha e Puka. Nuk i lodhi as rruga, as vitet. Të gjithë pensionistë, por secili me një jetë aktive a në ndonjë punë private. Vetëm Pali nga vendlindja e Gjergj Fishtës na rri pak si me mendje të madhe…vazhdon punën shtetërore.”Jam më i ri se ju, o pensionistë..” -Mburru edhe 2 muaj o Pal e hajde edhe ti tek ne… e plas e qeshura e gallata. Ndonjërin nuk e kemi parë qysh atëherë, në mbrëmjen e maturës. Ka ardhur Blerta nga Elbasani, ish/zëvendës drejtoresha e shkollës; kosovari nga Shën Vlashi, Bajram Gashi, për shumë vite drejtor i shkollës së mesme të Bashkuar, edhe unë homologu i tij nga thellësitë e Alpeve; SadriPonari, ish mësues për shumë vite e drejtor në një gjimnaz të Tiranës; kompozitori e muzikanti, udhëheqësi artistik i të njohurit ansambël Mirëdita; Gjergj Kola nga Mërturi i Pukës, për disa kohë pas viteve ’90 nëpunës në Ministrinë e Brendshme.
Nuk mund të harroj dhe nuk mund të lë pa përmendur shokun tim të bankës, ZeqirLushaj, pasardhësi i një shtëpie me emër që ka punuar përveç mësuesisë, dikur me Rininë e Frontin në Tiranë e më vonë emigron në Amerikë. Nuk do të ndodhte ndryshe, ai masoviku dhe patriotii kulluar që gjithë jetën ndërtoi ura bashkëpunimi e komunikimi, patjetër se një ditë do të kthehej përgjithmonë në vendlindjen e tij. Hyra në këtë pyll të dendur mendimesh me një “sëpatë” të vogël në dorë që nuk di ta përdor edhe aq mirë (stilolapsi). Po a mund t’i përmend dhe t’u vlerësoj të gjithëve meritat dhe kontributet e shumta? Kjo është e pamundur. Por është e pamundur të mos përmendësh shoqet dhe shokët tanë të nderuar, Lejlanë, Biseren, Sanijen, Havanë, Klementinën, tre Dritat, njëra prej të cilave aktore e nderuar (Drita Nikolla), Lukën, rekordmenen e sportit, Qemalin, Lekën, Halilin, Hanin, Eduartin, Skënderin, Hysenin, Shaqirin nga Tropoja që shijon pa da bukuritë e Shkëlzenit e të Valbonës…Kanë qenë e janë të mrekullueshëm, të thjeshtë e modestë. Prandaj edhe nuk po i përmend të gjithë. Takimi në Velipojë ishte i bukur e shumë mbresëlënës. Pas përshëndetjeve të para, kafenë e pimë në plazhin e bukur të shoqëruar nga bashkëshorti i Sanijes, Eljaz Salja, dhe ky pedagogjikas, një brez para nesh. Befasitë nuk na ndahen. Bukuritë e pamjet rreth e rrotull janë mbresëlënëse e nuk mund të përshkruhen. Do të veçojmë atë që ka ndodhur kohët e fundit: Velipoja një perlë e natyrës që është zbukuruar shumë edhe nga dora e njeriut. Ndoshta me pak dhimbje, por për një çështje të madhe… hapësira të mëdha të sistemuara e të gjelbëruara, këndi i lojërave, ndërtimet moderne e tradicionale, rrugë të gjera të mirëmbajtura, lokale shërbimi e mbi të gjitha Pedonalja interesante mbi 8 metër e gjerë që përshkon bregun e detit e ndan Plazhin me Qytetin e sa e sa gjera të tjera. E dini si po më ngjet ajo pedonalja e gjatë? Si shiriti i kryetarit të komunës Pashk Ujka. Ka kryetar që mbajnë këtë post me dekada, pa ndërtuar asnjë vepër, duke vjedhur e shpërdoruar vit pas viti. Unë vetëm emrin ia di e asnjëherë nuk jam takuar me të, por Pashku meriton përgëzimet dhe fjalët më të mira për këto që ka bërë. Plasin debatet e batutat, kujtimet e nostalgjitë. Flasin e flasin radhë e pa radhë, me etikë e “pa etikë”, por 50 vitet tona flasin shumë e janë një kontribut i madh në fushën e arsimit. Me respekt përmendim e vlerësojmë edhe pedagogët tanë të nderuar, shumë prej tëcilëve nuk jetojnë. Ngjante Pedagogjikja si një akademi me ato personalitete që dhanë shumë për arsimin shqiptar, disa prej të cilëve vazhduan karrierën e tyre në universitetin “Luigj Gurakuqi”. Bisedat nuk mbyllen e plas “sherri” me bijën e Elbasanit, kur fillojë të flasë për Normalen e këtij qyteti. Ashtu siç gjuhen penalltitë, ashtu shtohen edhe argumentet njëri pas tjetrit për moshën e këtyre shkollave me emër, për personalitetet, për vitet kur u hapën. Palët sjellin argumente e kundër-argumente. Blerta përmend vitin 1909, por edhe Shkodranët përmendin disi të lëkundur vitin e hapjes së pedagogjikes “Shejnaze Uka”. Mësuesja nga Elbasani përmend personalitet që shërbyen në atë shkollë, Luigj Gurakuqin, Aleksandër Xhuvanin, Sotir Pecin, Sali Çekën, Hafiz Ibrahim Dalliun, Simon Shuteriqin, etj. Nuk mbeten më pas ata që përmendin personalitetet e pedagogjikes në Shkodër, si Gasper Beltoja, Vehbi Bala,Jup Kastrati, Nuri Abdiu, Shefik e Tomor Osmani, Musa Kraja, Fadil Podgorica, Safet Hoxha, Ded Shala etj. që nuk kanë të sosur. Si pa dashje sytë i drejtojnë tek unë për të saktësuar vitet kur u hapën këto shkolla. Në përfundim përcaktimet janë të sakta: pas Normales së Bukureshtit që u hap me 1892 ku mësuan edhe 15 djemë shqiptarë, Normalja e Elbasanit është e para shkollë brenda vendit që përgatiti mësues (1909), ndërsa ajo e Shkodrës u hap më 1917 për të përballuar urinë e madhe që kishte Veriu për mësues. Flasim me pasion e bisedat janë gjithëpërfshirëse. Flasim edhe për letërsinë dhe artin. Dikush përmend edhe shkrimtarët e klasës që kanë botuar dhe vazhdojnë të botojnë vepra të arrira artistike e studime shkencore: kolec traboini, Zeqir Lushaj, Frrok Vukaj, Bajram Gashi, etj. Sekush, në një menyrë apo tjetër, ka kontibuar shumë për afër një gjysmë shekulli e ka cfarë të flasë, por qëndrimi i tyre është modest e vepra e tyre nuk do të harrohet... Ajo do të kujtohet gjatë e do të lërë gjurmë në kujtesën e brezave që do të vijnë. Ky takim i ngrohtë, pas vitesh, na ka humbur edhe sensin e kohës. Orët e pasdites po i afrohen mbrëmjes e ne duhet të përmbyllim edhe këtë takim shumë mbresëlënës, por me një propozim që miratohet njëzëri: takimi tjetër do të bëhet në 50-vjetorin e maturës… Vendin, kohën dhe veprimtaritë do t’i përcaktojë komisioni i ngritur. Janë rinuar e nuk njohin vite, planifikojnë e propozojnë takime të tjera pas vitesh e pse jo, ata më të guximshmit, edhe pas dekadash. Uroj të ndodhë ashtu!

17 shtator 2014