PAS 50 VITESH, ME PEDAGOGJIKASIT
E SHKODRËS
Nga FRROK VUKAJ,
Pedagog, studiues - Tiranë
Se si po më duket…vallë kaq
shpejt kalojnë vitet e dekadat?! Vocërrakë ishim atëherë, 13-14 vjeç e donjëri
edhe 15, se shkolla 7-vjeçare qe hapur me vonesë në fshatin e tyre. Më se 50
vite më parë, në shtatorin e vitit 1963, u mblodhëm një e nga një nga të katër
anët e Shqipërisë, shumica nga Veriu i saj. Ashtu të ndrojtur e të padalë nga
fshati, me rroba sa për të thënë, me triko leshi, xhaketa doku e pantallona
shajaku, ndonjëri pse jo edhe me opinga llastiku e çorape leshi, u mblodhëm në
qytetin verior, në djepin e kulturës, me histori 2500 vjeçare, në qytetin
historik të Shkodrës.
Befasitë ishin të bukura e
mbresëlënëse, por ana tjetër e medaljes na kujton edhe sot pamje tronditëse:
varfëri e tejskajshme, kushte jo të mira jetese, komunikim i rrallë me familjet
tona të largëta nëpërmes fletëthirrjeve telefonike 2-3 minutëshe në
Postë-Telegrafën e vetme të qytetit, motii ftohtë e i lagësht, dimrat e ashpër,
komunikacioni problematik pas të cilit shumica do të udhëtonin në këmbë 2-3 e
deri në 8 orë neper rrugë të thepisura, dhomat e mëdha e të ftohta të konviktit
me krevate marinari, autoklava primitive që na lante rrobat e pas jave thasët
që zbrazeshin në shesh, rreshti i gjatë i konviktorëve me ndërresat e pakta në
duar për t’u larë në banjat publike të qytetit e pamje të tjera që edhe sot më
ngjethin mishtë. Megjithëkëtë nuk u tronditëm, as u thyem. Në zemrat tona
kishim zjarr e në sytë tanë dritë e jetë që rrëzëllente. Vitet kaluan e ja ku u
mblodhëm me 8 Shtator 2014, pas 50 vitesh, ashtu si dikur. Megjithëse
flokëthinjur e paksa të kërrusur, e shpupuritëm hirin e para një gjysmë
shekulli e në shpuzën e nxehtë pak e nga pak zbuluam edhe ca thëngjij të
pashuar. Po nga u mblodhëm e nga erdhëm në këtë ditë shtatori? Takimi i parë u
bë në Tiranë para disa vitesh, por sot si një magnet, na tërhoqi Shkodra ku
kaluam pjesën më të bukur të rinisë e na dha rrugën e mbarë. Kështu ndodhi edhe
2-3 herë të tjera, por sot malli na ka marrë më shumë se herët e tjera. Shkojmë
aty ku kaluam 4 vitet e shkollës së mesme e sytë tanë përloten si të ishim
fëmijë. Ish Shkolla Pedagogjike nuk është më. Në themelet e saj e në hapësirat
rreth e rrotull, është ngritur një park i bukur e në mes tij shatërvani
ujëplotë. Na lehtëson kjo pamje se aty ku prodhohet dije për shekuj lind e rilind
jeta. Lulishtet e bukura, drurë e pemë gjithfarësh, kalldrëme e zbukurime,
pishat e selvitë e gjata. Pedonalja që zgjatet deri tek Truma, si një ansambël
i bukur. Rektorati i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, godina karakteristike e
Bashkisë më se 100 vjeçare, Xhamia me 2 minare e rindërtuar në themelet e
hershme pasi u shemb nga regjimi i kohës, Biblioteka “Marin Barleti”me fondin
shumë të pasur e të rrallë, por me salla të vogla për kërkesat shumë të mëdha
që kanë lexuesit e shumtë. Pjaca e rikonstruktuar nga mjeshtrit më në zë e
duarartë që kanë ruajtur trashëgiminë shqiptare, por edhe ndikimin e hershëm
Venecian, na lehtësojnë atë dhembje për shkollën tonë të hapur qysh me 1917. Na
nxjerr mallin simotra e saj përballë, Gjimnazi 29 a 28 Nëntori, edhe ky i hapur
më 1922 (ama ç’na gjeti edhe me këto data?!). Kanë ardhur nga Kukësi e Tropoja,
Durrësi e Elbasani, Tirana e Kurbini, Lezha e Puka. Nuk i lodhi as rruga, as
vitet. Të gjithë pensionistë, por secili me një jetë aktive a në ndonjë punë
private. Vetëm Pali nga vendlindja e Gjergj Fishtës na rri pak si me mendje të
madhe…vazhdon punën shtetërore.”Jam më i ri se ju, o pensionistë..” -Mburru
edhe 2 muaj o Pal e hajde edhe ti tek ne… e plas e qeshura e gallata. Ndonjërin
nuk e kemi parë qysh atëherë, në mbrëmjen e maturës. Ka ardhur Blerta nga
Elbasani, ish/zëvendës drejtoresha e shkollës; kosovari nga Shën Vlashi, Bajram
Gashi, për shumë vite drejtor i shkollës së mesme të Bashkuar, edhe unë
homologu i tij nga thellësitë e Alpeve; SadriPonari, ish mësues për shumë vite
e drejtor në një gjimnaz të Tiranës; kompozitori e muzikanti, udhëheqësi
artistik i të njohurit ansambël Mirëdita; Gjergj Kola nga Mërturi i Pukës, për
disa kohë pas viteve ’90 nëpunës në Ministrinë e Brendshme.
Nuk mund të harroj dhe nuk mund
të lë pa përmendur shokun tim të bankës, ZeqirLushaj, pasardhësi i një shtëpie
me emër që ka punuar përveç mësuesisë, dikur me Rininë e Frontin në Tiranë e më
vonë emigron në Amerikë. Nuk do të ndodhte ndryshe, ai masoviku dhe patriotii
kulluar që gjithë jetën ndërtoi ura bashkëpunimi e komunikimi, patjetër se një
ditë do të kthehej përgjithmonë në vendlindjen e tij. Hyra në këtë pyll të
dendur mendimesh me një “sëpatë” të vogël në dorë që nuk di ta përdor edhe aq
mirë (stilolapsi). Po a mund t’i përmend dhe t’u vlerësoj të gjithëve meritat
dhe kontributet e shumta? Kjo është e pamundur. Por është e pamundur të mos
përmendësh shoqet dhe shokët tanë të nderuar, Lejlanë, Biseren, Sanijen,
Havanë, Klementinën, tre Dritat, njëra prej të cilave aktore e nderuar (Drita
Nikolla), Lukën, rekordmenen e sportit, Qemalin, Lekën, Halilin, Hanin,
Eduartin, Skënderin, Hysenin, Shaqirin nga Tropoja që shijon pa da bukuritë e
Shkëlzenit e të Valbonës…Kanë qenë e janë të mrekullueshëm, të thjeshtë e
modestë. Prandaj edhe nuk po i përmend të gjithë. Takimi në Velipojë ishte i
bukur e shumë mbresëlënës. Pas përshëndetjeve të para, kafenë e pimë në plazhin
e bukur të shoqëruar nga bashkëshorti i Sanijes, Eljaz Salja, dhe ky
pedagogjikas, një brez para nesh. Befasitë nuk na ndahen. Bukuritë e pamjet
rreth e rrotull janë mbresëlënëse e nuk mund të përshkruhen. Do të veçojmë atë
që ka ndodhur kohët e fundit: Velipoja një perlë e natyrës që është zbukuruar
shumë edhe nga dora e njeriut. Ndoshta me pak dhimbje, por për një çështje të
madhe… hapësira të mëdha të sistemuara e të gjelbëruara, këndi i lojërave,
ndërtimet moderne e tradicionale, rrugë të gjera të mirëmbajtura, lokale
shërbimi e mbi të gjitha Pedonalja interesante mbi 8 metër e gjerë që përshkon
bregun e detit e ndan Plazhin me Qytetin e sa e sa gjera të tjera. E dini si po
më ngjet ajo pedonalja e gjatë? Si shiriti i kryetarit të komunës Pashk Ujka.
Ka kryetar që mbajnë këtë post me dekada, pa ndërtuar asnjë vepër, duke vjedhur
e shpërdoruar vit pas viti. Unë vetëm emrin ia di e asnjëherë nuk jam takuar me
të, por Pashku meriton përgëzimet dhe fjalët më të mira për këto që ka bërë.
Plasin debatet e batutat, kujtimet e nostalgjitë. Flasin e flasin radhë e pa
radhë, me etikë e “pa etikë”, por 50 vitet tona flasin shumë e janë një
kontribut i madh në fushën e arsimit. Me respekt përmendim e vlerësojmë edhe
pedagogët tanë të nderuar, shumë prej tëcilëve nuk jetojnë. Ngjante
Pedagogjikja si një akademi me ato personalitete që dhanë shumë për arsimin
shqiptar, disa prej të cilëve vazhduan karrierën e tyre në universitetin “Luigj
Gurakuqi”. Bisedat nuk mbyllen e plas “sherri” me bijën e Elbasanit, kur
fillojë të flasë për Normalen e këtij qyteti. Ashtu siç gjuhen penalltitë,
ashtu shtohen edhe argumentet njëri pas tjetrit për moshën e këtyre shkollave
me emër, për personalitetet, për vitet kur u hapën. Palët sjellin argumente e
kundër-argumente. Blerta përmend vitin 1909, por edhe Shkodranët përmendin disi
të lëkundur vitin e hapjes së pedagogjikes “Shejnaze Uka”. Mësuesja nga Elbasani
përmend personalitet që shërbyen në atë shkollë, Luigj Gurakuqin, Aleksandër
Xhuvanin, Sotir Pecin, Sali Çekën, Hafiz Ibrahim Dalliun, Simon Shuteriqin,
etj. Nuk mbeten më pas ata që përmendin personalitetet e pedagogjikes në
Shkodër, si Gasper Beltoja, Vehbi Bala,Jup Kastrati, Nuri Abdiu, Shefik e Tomor
Osmani, Musa Kraja, Fadil Podgorica, Safet Hoxha, Ded Shala etj. që nuk kanë të
sosur. Si pa dashje sytë i drejtojnë tek unë për të saktësuar vitet kur u hapën
këto shkolla. Në përfundim përcaktimet janë të sakta: pas Normales së
Bukureshtit që u hap me 1892 ku mësuan edhe 15 djemë shqiptarë, Normalja e
Elbasanit është e para shkollë brenda vendit që përgatiti mësues (1909), ndërsa
ajo e Shkodrës u hap më 1917 për të përballuar urinë e madhe që kishte Veriu
për mësues. Flasim me pasion e bisedat janë gjithëpërfshirëse. Flasim edhe për
letërsinë dhe artin. Dikush përmend edhe shkrimtarët e klasës që kanë botuar
dhe vazhdojnë të botojnë vepra të arrira artistike e studime shkencore: kolec
traboini, Zeqir Lushaj, Frrok Vukaj, Bajram Gashi, etj. Sekush, në një menyrë
apo tjetër, ka kontibuar shumë për afër një gjysmë shekulli e ka cfarë të
flasë, por qëndrimi i tyre është modest e vepra e tyre nuk do të harrohet...
Ajo do të kujtohet gjatë e do të lërë gjurmë në kujtesën e brezave që do të
vijnë. Ky takim i ngrohtë, pas vitesh, na ka humbur edhe sensin e kohës. Orët e
pasdites po i afrohen mbrëmjes e ne duhet të përmbyllim edhe këtë takim shumë
mbresëlënës, por me një propozim që miratohet njëzëri: takimi tjetër do të
bëhet në 50-vjetorin e maturës… Vendin, kohën dhe veprimtaritë do t’i
përcaktojë komisioni i ngritur. Janë rinuar e nuk njohin vite, planifikojnë e
propozojnë takime të tjera pas vitesh e pse jo, ata më të guximshmit, edhe pas
dekadash. Uroj të ndodhë ashtu!
17 shtator 2014